Prof. Dr. Florian Nepravishta

Faculty of Architecture and Urbanism Polytechnic University of Tirana

Prof. Dr. Florian Nepravishta

Faculty of Architecture and Urbanism Polytechnic University of Tirana

Biography

Florian Nepravishta është Profesor i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Universiteti Politeknik i Tiranës.

Ai është diplomuar në vitin 1993, dega Arkitekturë në Universitetin Politeknik të Tiranës me rezultate shumë të mira, ka fituar një diplomë të dytë universitare në vitin 2003 në Jurisprudencë në Universitetin e Shkodrës gjithashtu me rezultate shumë të mira. Në vitin 2002 ka përfunduar studimet Master Shkencor në “Urban Housing Management”, pranë IHS – Erasmus University, Holandë dhe Lund University, Suedi. Ai gjithashtu ka kryer studime pasuniversitare në fushën e restaurimit dhe adaptimit në Universitetin e Firences në “Inner City Revitalization and Urban Renewal” në Institute for Housing and Urban Development Studies-Rotterdam (IHS), Holandë, dhe në shkollën evropiane të restaurimit “Instituto per il Restauro dei Castelli”, Udine-Itali. Në vitin 2009 ka marrë gradën shkencore “Doktor”, në vitin 2013 fiton titullin “Profesor i  Asociuar” dhe në 2016 fiton titullin “Profesor” në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Profesor Nepravishta është punësuar në Universitetin Politeknik të Tiranës në vitin 1996. Aktiviteti i tij akademik përfshin mësimdhënien në disa lëndë si: Studio Arkitekture 3 dhe 4 (viti i 3-të), Adaptim Arkitektonik (viti i 5-të), Studio Diplome (viti i 5-të), Rikuperimi dhe Rijetëzimi i Monumenteve (Master Profesional) etj. Ai është hartues dhe bashkëhartues i disa planeve dhe programeve mësimore të degëve që mbulon FAU.

Profesor Nepravishta ka përvojë akademike si Profesor i ftuar në disa universitete si: Albanian University (2009 -2015), UBT (2014 – 2015), Universiteti Shtetëror i Tetovës (USHT), Maqedonia e Veriut (2010 – 2013), Politecnico di Bari (2016), etj. Ai është anëtar i Kolegjit të Doktoratës “Architettura, Disegno Industriale e Beni Culturali”(Ciclo 34, Ciclo 35) Università di Campania “Luigi Vivatelli”, Dipartimento Architettura e Disegno Industriale, Itali dhe anëtar i Kolegjit të Doktoratës “Progetto, conoscenza e salvaguardia del patrimonio culturale (XXXV ciclo). Università degli Studi Firenze, DiDA, Itali.

Përveç kësaj, ai ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme shkencore dhe ka botuar një numër të larmishëm punimesh shkencore si artikuj, referenca dhe monografi. Opusi i tij profesional përfshin gjithashtu organizimin e ekspozitave, punëtorive (workshop) dhe Konferenca Ndërkombëtare (IFAU17, IFAU18 dhe IFAU19). Ai ka qenë anëtar i komitetit shkencor i mbi 40 konferencave ndërkombëtare dhe është anëtar i redaksisë së disa revistave shkencore kombëtare (“Monumentet”, IKM “Buletini i Shkencave Teknike”, UPT) dhe revistave shkencore ndërkombëtare (“Arhitektura i Urbanizam”, “South East European Journal of Architecture and Design (SEEJAD)”, “Magazine of Civil Engineering”, “JAS – SUT. Journal of Applied Sciences-SUT”, etc.). Drejtues shkencor i kolanës “Forum for Architecture and Urbanism (FAU) të shtëpisë botuese “La scuola di Pitagora editrice”, Itali.

Ai është anëtar i Senatit Akademik UPT, anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK), anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë (SHASH), anëtar i EHNR, IFHP, etj.

Profesor Nepravishta ka drejtuar Departamentin e Arkitekturës dhe Urbanistikës të FIN – UPT gjatë periudhës 2009 – 2012 dhe më pas Departamentin e Arkitekturës, FAU – UPT. Në vitin 2016 – 2020 zgjidhet Dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës.

Në fushën profesionale si arkitekt ai ka realizuar projekte të ndryshme objektesh banimi, shkollore, tregtare, industriale, komplekse turistike, restaurimi dhe rehabilitimi të ndërtesave ekzistuese, interierë, studime dhe plane urbane.