|

Prof. Asoc. Dr. Flamur DOLI

University of Pristina, Faculty of Architecture

Prof. Asoc. Dr. Flamur DOLI

University of Pristina, Faculty of Architecture

Biography

Inxhinier i diplomuar i Arkitekturës, studiues i arkitekturës popullore, restaurator. Lindi në Mitrovicë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Mitrovicë, kurse studimet e Arkitekturës i kreu në Fakultetin e Arkitekturës, Universiteti i Shkupit, Maqedoni (1974). Studimet pasdiplomike i kreu në Fakultetin e Arkitekturës, Universiteti i Shkupit (1984). Ndërkaq, më 2008, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës e mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: “Arkitektura vernakulare e Kosovës”. Gjatë viteve 1975 – 1985 punoi si asistent në lëndët: Gjeometria deskriptive dhe Perspektiva gjeometrike në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Universiteti i Prishtinës. Më pas, prej vitit 1985 – 2009 ligjëroi lëndët: Gjeometria deskriptive dhe Perspektiva gjeometrike. Në vitin 2009 u avansua në thirrjen akademike Profesor Asistent, kurse në vitin 2013, në thirjen Profesor i Asocuar. Përveç lëndëve të zëna ngoje më sipër, që nga viti 2009, përkatësisht nga viti 2013, ligjeron lëndën: “Banimi tradicional në Kosovë” – studimet Bachelor, dhe lëndën “Teoria dhe praktika e restaurimit” – studimet Master. Është themelues i programit mësimor për lëndën: “Banimi tradicional në Kosovë”. Ky program studimor shquhet për karakterin e plotë origjinal. Ishte njëri prej themeluesve të studimeve në Arkitekturë (1978). Për tre mandate ishte Prodekan për mësim, si dhe për shumë mandate shef i Katedrës. Ka të botuara këto monografi studimore: “Shkolla kosovare e mjeshtrit popullor shqiptar” (1993), “Të krijuarit dhe arkitektura” (1997), “Arkitektura tradicionale – popullore e kosovës. Traditional popular architecture of Kosova” (2001- shqip/anglisht), “Arkitektura vernakulare e Kosovës” (2009) [Kjo monografi është në botim e sipër në gjuhën angleze] dhe Ruajtja praktike trashëgimisë arkitektonike në Kosovë (2021). Këto monografi studimore në mbarë përbërësit e tyre paraqesin një kontribut thelbësor plotësisht origjinal dhe me vlerë për kulturën materiale shqiptare. F. Doli ka marr pjesë me botime shkencore në këto konferenca ndërkombëtare: Slloveni (1989), Itali (2011; 2012; 2013), Japoni (2010), Kanadë (2012), Austri (2014). F. Doli është autor i ekspozitave shkencore ndërkombëtare dhe kombëtare nga lëmi i arkitekturës popullore të Kosovës të hapura në: Gjermani (1999, 2000), Turqi (2012 dy ekspozita), Prishtinë (2001, 2010), Prizren (2002). Nga përvoja profesionale e autorit duhet veçuar hartimin e projekteve kryesore për restaurimin rindërtues dhe rijetësimin e këtyre objekteve të realizuara: Mullirit të vjetër në Mitrovicë (1989), të kullave të tipit të Rrafshit të dukagjinit në Junik (2001, 2003), Konakut në Junik (2003/2016), Prekaz (2004), Mitrovicë (2006), Sylërexhëve në vranoc (2003/2008) dhe shtëpisë tradicionale për banim në Pejë (2003/2011). Autori është anëtar i asociacionit ndërkombëtar: “International Society for Geometry and Graphics” (ISGG) dhe anëtar nderi i: Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës. Aktualisht jeton në Prishtinë. Ishte mësimdhënës dhe prodekan në Departamentin e Arkitekturës të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Prishtinë.